Njohuri rreth verës

PËRSHKRIMI I TË NUHATURIT TEK NGJËRIMI I VERËS

 

Shqisa e nuhatjes është shumë e rafinuar, nëpërmjet saj perceptohen aroma shumë “të holla” duke bërë kështu vlerësimin e saktë e të detajuar të karakteristikave të verës. Meqënëse aroma e verës është e pasur me lloje dhe sfumatura të ndryshme, atëherë klasifikimi i tyre përmblidhte në përshkrimin e të nuhaturit.

Në bazë të karakteristikave  të nuhatjes vera është:

Aromatike është vera aroma e së cilës të sjell ndërmend përbërësit aromatikë naturalë të vreshtave të cilat klasifikohen në kategorinë e llojeve të rrushit me erë si p.sh. Moscati, Malvasie, Gewürzrtraminer etj. 

 

Aromë vere lehone është aroma karakteristike e verës së re të pasur me aroma që të kujtojnë proçesin e “verërimit” e sidomos lëkurën dhe farëzat e rrushit. Të kujton erën e mirë që ndjehet në kantinë në momentin e shtrydhjes. Kjo aromë është tipike për llojet e verës së kuqe.  

Aromë lulesh është vera me erë lulesh. Zakonisht në verërat e bardha të reja ndjehet aroma e luleve të bardha si psh. acacie, murriz... etj., ndërsa në verërat e kuqe disi të vjetëruara ndjehet aroma e luleve të kuqe të thara si: p.sh. vjollca, trëndafili... etj.

Aromë frutash është aroma e llojve të ndryshme të frutave që tek vera ndryshon në bazë të llojit të verës dhe zhvillimit të saj. Një aromë e tillë të sjell ndërmend frutat e freskëta me tul të bardhë ose të kuq, apo frutat e pjekura ose ato ekzotike, madje dhe reçelin e frutave ose frutat e thata.

Erëndjellëse është vera e cila kundërmon erën e freskët të esencave të luleve dhe frutave e në disa raste atë të kores së bukës. 

Aromë barishtore të krijon përshtypjen e barit të korrur apo të specit jeshil, të gjetheve të domates, të sharkut të arrës etj. Këto aroma bimësh çlirohen në ato verëra të cilat shquhen për kundërmimin karakteristik të tyre si p.sh.: Cabernet franc, Sauvignon blanc, Lagrein etj.

Aromë minerale është aroma e cila kujton aromën e mineraleve të ndryshme, si p.sh.: bakri, magnezi, kallaji,  gurëve të zallit  etj.

Aromë erëzash(kanellë, karafil të tharë, vanilje, piper etj) kanë llojet e ndryshme të verërave të kuqe ose të bardha, të cilat vjetërohen në fuçi druri e më pas përsosen në shishe për  periudha të shkurtra ose të gjata kohe. 

Aromë e papërzier është aromë e pastër, përsa i përket verës që po ngjërohet(provohet). Aroma e verës nuk maskohet nga ndonjë aromë tjetër, kështu që në këtë rast sommelieri nuk ka dyshime në lidhje me origjinalitetin dhe karakteristikat e saj. (p.sh. Cabernet Franc).

Aromë alkoolike(eterike) kanë ato verëra të cilat janë vjetëruar për periudha të ndryshme kohe. Në formimin e larmisë së aromave të verës luajnë rol të rëndësishëm (acetali, eteri, esteri), që janë krijuar si rezultat i kombinimeve të ndryshmë të molekulave të alkooleve.

E pasur është aroma e verës në tërësinë e së cilës perceptohen ndjesitë, aromat parësore, dytësore e të treta që janë emfatizuar gjatë evolucionit fiziologjik (ciklit jetik) të verës.

 

free joomla templatesjoomla templates
2017  Sommelieria Shqiptare   globbers joomla template