PËRSE DEGUSTOHET VERA

PËRSE DEGUSTOHET VERA

Shishja e verës përfaqëson sintezën e ekuilibrit të përkryer midis natyrës, dorës së  njeriut dhe teknikës së aplikuar. Detyra parësore e degustatorit është të verifikojë nga pikëpamja pamore, e nuhatjes dhe e të ngjëruarit nëse vera ka arritur plotësisht harmoninë e saj. 

Raporti që krijohet midis subjektit (degustatorit/shijuesit) dhe objektit (vera) duhet bazuar mbi “respekt” e kompetencë me qëllim që  të jepet një vlerësim sa më i saktë në lidhje me karakteristikat e verës. Procesi i ngjërimit (degustimit) bëhet që të njihet në mënyrë sa më të hollësishme “bota e verës e mbyllur brenda ne shishe” dmth vlerësohet nëse produkti i ruan cilësitë parësore dhe karakteristikat e origjinës së tij. Një shijues (degustator) i kujdesshëm duhet të jetë në gjendje të vlerësojë shkallën e zhvillimit të verës dhe të parashikojë kohëzgjatjen e ruajtjes së personalitetit të saj. 

 

Rëndësi e veçantë i duhet kushtuar “sallës së shijimit (degustimit)” dmth vendit në të cilin shijuesi duhet të japë vendimin e tij përsa i përket verës që po shqyrtohet. Kjo dhomë duhet të ketë këto karakteristika:

  • duhet të jetë hapësinore, e ajrosur dhe e ndriçuar (mundësisht natyrale);
  • duhet të jetë sa më larg ambienteve me erë të fortë, si psh kuzhinat e gatimit;
  • muret duhet të kenë ngjyrë sa më të lehtë sepse në rast të kundërt mund të kushtëzojnë punën gjatë analizës pamore të verës si dhe të jenë të izoluara nga zhurmat duke  ruajtur qetësi;
  • temperatura e ambientit duhet të jetë rreth 20º dhe lagështira rreth 60%;

Gjithashtu kjo sallë duhet të jetë e pajisur me “tavolina ngjerimi (degustimi)”. Zakonisht këto të fundit janë të bardha e të pajisura me mjetet e duhura. Por duhet theksuar që jo gjithmonë një sommelier mund të ketë në dispozicion një vend të tillë.  Kështu në çdo rast ai duhet te mbajë parasysh disa rregulla themelore:

  • të mos hajë ushqime me shije tepër të fortë sepse kjo e fundit ndikon gjatë provës së shijes dhe të nuhaturit të verës.
  • të mos pijë duhan sepse nikotina ndikon në uljen e ndjeshmërise se individit;
  • të mos përdorë parfume  me erë shumë të fortë;

Edhe gjatë fazës operative duhen mbajtur parasysh këto rregulla:

  • të mos ngjërohen (degustohen) kurrë më tepër se dhjetë -  dymbëdhjetë kampione vere, sepse nqs kalohet një shifër e tillë atëherë ngjëruesi (degustatori) lodhet e nuk është në gjendje të japë një vlerësim të saktë;
  • të ndiqet një sekuencë llogjike e të ngjëruarit dmth të fillohet nga verërat e reja të bardha e deri tek verërat e kuqe të vjetëruara e në fund tek verërat e  ëmbla;
  • të bëhet kujdes për  temperaturën e servirjes së verës;
  • proçesi i degustimit të kryhet gjatë mëngjesit (rreth orës 10.00 – 12.00) sepse kushtet psikofizike të individit janë shumë të mira gjatë këtij intervali kohe.

Gjatë proçesit të provës së verës, ngjëruesit duhet të pastrojnë  gojën nga ndjesitë e provës së mëparëshme me bukë dhe ujë.

Raporti i ngjëruesit me kampionin në provë duhet të jetë absolutisht personal.

free joomla templatesjoomla templates
2018  Sommelieria Shqiptare   globbers joomla template